Jepni vlerësimin tuaj

Instituti i Trajnimeve dhe Karrieres

ITK Blog

Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 55

A mund të rritej një Steve Jobs në Shqipëri?

07 Dhjetor 2013 Nga ITK Blog
Vlereso artikullin
(14 vota)

“Një fëmije Japonez i mësohet si gjë e parë fakti që vendi i tij është i varfër dhe vetëm duke punuar shumë mund të garantojnë suksesin e tij. Një fëmije Shqiptar i mësohet që vendi i tij është më i miri dhe ai duhet të jetë krenar për prejardhjen e tij” – Tema s’më kujtohet, por këto janë fjalët e një analisti përgjatë një debati televiziv. Diferenca në filozofi mund të thuash që reflektohet në ekonomitë e vendeve tona.

A mund te rritej Steve Joobs ne Shqiperi

Truri im e lidhi këtë informacion me një vizitë të para disa viteve në një muze pikture në Vjenë. Ndër artistët e listuar si të suksesshëm pas vdekjes, pothuajse 70% i përkisnin shkollës së Vjenës. Aq sa dukej se për të pasur sukses duhej të ishe pjesë e asaj shkolle. Ata kanë një sistem që arrin të krijoj sukses.

Kur po lexoja jetën e Steve Jobs, në faqet e para ku shkruhej për fëmijërinë e tij mu kujtua e njëjta eksperiencë. Steve i vogël jetonte në një ambient ku inxhinierë te HP-së i kishte gjiton, ku fëmijët prodhonin televizorë, ata e krijuan “silicon valley”. Si fëmijë Steve kishte probleme me përqendrimin dhe shkollën. Ishte aftësia e një mësueseje në fillore e cila kuptoi që problemet e Stivit nuk lidheshin me inteligjencën por me motivimin. Duke ndërtuar një skemë për t’ia bërë shkollën interesante asaj mësueseje ndoshta i detyrohemi (jo për të gjithën) mënyrën se si komunikimi nuk konceptohet pa teknologjinë. I detyrohemi një tjetër mendje të bukur.

Kur po lexoja për Ainshtajnin pata sërish të njëjtën ndjenjë, të njëjtin kujtim. Ai u rrit në një ambient ku arsimi ishte primar. Xhaxhai i tij u kujdes që të zhvillohej herët në matematik. Ainshtajni nuk fliste deri në moshën katër vjeçare. Duke qenë një natyrë kureshtare dhe pa mundësinë për të pyetur ai zhvilloi aftësinë për të vëzhguar dhe kuptuar. Kjo i zhvilloi imagjinatën të cilën ai gjithmonë e konsideroi më të rëndësishme se dija. Asaj imagjinate bota sot i detyrohet Teorinë e Relativitetit dhe një tjetër mendje të bukur.

Një ndër pyetjet që i bëj shpesh vetes është a mund të lindin këto mendje te bukura në Shqipëri?

Ndër figurat kryesore identifikuese të vendit tonë, asnjëri nuk u rrit apo arsimua në Shqipëri, por eksperiencat që i bënë të dallohen ndodhen gjetkë. Qoftë me Skenderbeun, Nënë Terezën apo Ismail Qemalin, të gjithë rritur suksesshëm në botë por jo në Shqipëri. Shqipëria lind mendje të bukura por përse ato nuk arrijnë të zhvillohen asnjëherë në këtë vend?

Kur bëj ketë pyetje më kujtohet një kronikë e Vizion plus rreth një gjeniu në Mallakastër që arrinte në moshë te vogël të llogariste me mëndje shumëzime te komplikuara. Ai sot duhet të jetë 40 e pak vjeç dhe besoj se vazhdojnë ta quajnë i çmenduri. I çmendur quhej për faktin se kur ishte fëmijë kjo dhunti u përdor nga krye brigadieri për të bërë llogaritë e kooperativës. Më pas të gjithë të rriturit e fshatit e përdornin si argëtim përgjatë kohës që pinin raki. E mbanin afër djalin që t’ju përgjigjej shumëzimeve që ata ia jepnin të cilat pasi djali i zgjidhte shoqëroheshin me të qeshura dhe ndonjë shprehje të tipit “e bëri i çmenduri”. Ajo mëndje e bukur pa përkujdesje sot është pa vlerë dhe e djegur.

Ky rast nuk mund të jetë përfaqësues por në qoftë se e shikojmë në nivel makro ne sot kemi dështuar të kemi një vend politikisht dhe ekonomikisht të qëndrueshëm por në mënyrë sporadike nëpër botë shqiptarët vazhdojnë t’ia dalin.

Pyetja është perse jashtë po dhe në Shqipëri jo?

Kur has nëpër biseda rreth formës që shteti shqiptar ka marrë sot, përgjigjet zakonisht janë te tipit: “po, se janë te paaftët që na udhëheqin”. Unë e konsideroj një përgjigje të thjeshtë për një problem të komplikuar. Do ishte njëlloj sikur të fajësoja atë fshat në Mallakastër përse ai djalë nuk ia doli të ishte gjeniu që ndoshta meritonte të ishte.

Këtë përgjigje e shikon kudo në Shqipërinë moderne qe unë njoh. Në vitin 90 ne patëm mundësi të krijonim një shtet të mirë por ne zgjodhëm një mënyre të thjesht. E zhbëmë të gjithën duke kaluar nga komunizëm dhe pronë publike në mos respektim te pronës private dhe barbarizëm. Ne këto 23 vjet forma më e suksesshme e biznesit shqiptar janë bar-restorantet. Shumë e thjesht, me shumë pak vend për kreativitet për tu marrë. Në vitin 2000 kur si biznes i suksesshëm u pa ndërtimi, të gjithë u bën ndërtues, më pas për disa kohë ishin hidrocentralet, pothuajse të gjithë ndërtuesit tentuan të merreshin me hidrocentrale. E njëjta skemë edhe për universitetet apo spitalet private.

Duket sikur në çdo fushë, ne si komb reagojmë me zgjidhje të thjeshta për probleme të komplikuar. Numërohen me gishta bizneset shqiptare me një formë te mirëfilltë organizimi ku ke departamente dhe ndarje pune. Shumë njerëz thonë që kjo është inteligjence, unë e quaj kaos te pavullnetshëm dhe mos pranim paaftësie.

Duket sikur njerëzit përtojnë të mendojnë dhe janë te prirur drejt veprimit. Ndoshta këtu duhet te fillojmë ti japim përgjigje, përse në Shqipëri nuk mund te rritet një Steve Jobs?.

Shoqëria ku ne jetojmë prodhon agresivitet dhe mungesë efikasiteti pothuajse në çdo fushë dhe kjo vjen nga fakti që një vend i vogël, i pazhvilluar si Shqipëria nuk arrin te përmbush ambiciet deri në lakmi të një populli që gjithmonë e më pak i serviren shembujt e shqiptarëve me mendje të bukura. Kjo ambicie e deformuar nuk ka një bazë të shëndosh sepse ngrihet mbi histori suksesi që nuk janë realisht të tilla. Ashtu si në Ekonomitë Moderne fitimi drejton edukimin, edhe ne Shqipëri është i njëjti model qe aplikohet. Ndryshimi qëndron se në Shqipëri fitimi nuk lidhet me ndërtimin e një pajisje teknologjike, turizmin, arkitekturën, bujqësinë e standardeve ISO por me Lazaratin, prostitucionin, ndërtimet pa leje, vjedhjen e një tenderi, njohjen e një politikani, te punuarit ne shtet si drejtor…

Për të ndryshuar këtë fakt nuk duhet vizioni i një individi por, dëshira e një populli. Ky vend ka nevojë të ketë rregulla dhe duhet luftuar imazhi i mirë që e keqja ka. Duhet të kuptojmë që ne nuk jemi më të mirët dhe për t’ia dalë duhet të mendojmë, punojmë shumë dhe drejtë.

Shqipëria do jetë aq e fortë sa shqiptarët janë, dhe sot ne nuk jemi aty ku duhet. Kjo nuk është rastësi dhe është vetëm faji ynë. Anashkalimi i përgjegjësisë nuk e zgjidh problemin, identifikimi dhe pranimi i tij është një fillim i mbarë.

Si çdo problem edhe problemi ynë fillon nga “koka”, dhe problemi i kokës fillon me edukimin e saj, dhe edukimi i saj vjen nga shkollat dhe në shkolla nuk japin mësim më të mirët, sepse shkollat nuk paguajnë. Më të mirët nuk dihet kush janë sepse sot të kesh sukses ne Shqipëri nuk duhet të jesh më i miri as më i drejti, ndaj le te përcaktojmë qarte kush është më i miri, dhe më pas ta bëjmë te fitoj më shumë se te tjerët, financiarisht, moralisht, politikisht. Kjo do bëj që të mos humbasim më Stev Jobsa dhe të rrisim ata që kemi.

Në mënyre që një vend si i yni t’ia dali nuk duhet të humbasë energji duke luftuar llojin e tij, por duke mbështetur llojin e tij.

Lexuar 1328 here Modifikuar ne Shtune, 07 Dhjetor 2013 13:38

Na Kontaktoni

  • Mobile: +355 (0) 69 61 62 321
  • Telefon: +355 (0) 44 53 61 34

Jemi Social

Jemi në Rrjetet Sociale. Na ndiqni dhe mbani kontakt të vazhdueshëm me ne për lajmërimet dhe ofertat tona më të fundit.
You are here: Fillmi Rreth ITK Blogu A mund të rritej një Steve Jobs në Shqipëri?